‘Qyteti i vdekjes’/ Rusët po largohen por po lënë pas një kurth të frikshëm

Dyshimet e deritanishme të autoriteteve ukrainase rreth qëllimeve të vërteta të ushtrisë ruse sapo mund të jenë provuar.

Vetëm disa orë pas njoftimit të djeshëm të Kremlinit se trupat ruse do të nisnin tërheqjen e tyre nga rajoni i Khersonit, ajo që kanë zbuluar autoritetet ukrainase është vërtetë rrëqethëse.

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar ditën e sotme, se trupat e Putinit kanë minuar të gjithë Khersonin dhe presin ta kthejnë atë në rrënoja sapo ushtarët e Kievit të nisin të përparojnë.

Kështu është shprehur vetë këshilltari i presidentit Zelensky, duke shtuar se kurthi i paralajmëruar prej kohësh nga ukrainasit, po merr formë ndërkohë që flasim.

Rusia e ka kthyer Khersonin në një ‘qytet të vdekjes’ duke plaçkitur ‘gjithçka’, duke përfshirë apartamentet dhe kanalizimet dhe sapo burrat e Ukrainës të përparojnë në qytet, ata do ta granatojnë atë deri sa të mbeten vetëm gurë, ka thënë Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas.

Podolyak bëri të ditur ​​paralajmërimin disa orë pasi Moska tha se do të tërhiqte trupat e saj nga Khersoni, duke i dhënë Ukrainës atë që në pamje të parë duket si fitorja më e madhe që nga fillimi i luftës.

Por sipas skeptikëve në Kiev, kjo masë – e shpallur me anë të një spektakli të vërtetë mediatik mbajtur nëpër disa televizione kryesore ruse – ngjalli frikën se ‘tërheqja’ është në fakt një kurth strategjik, i inskenuar nga ushtria ruse për të shpërqendruar ukrainasit dhe më pas t’i sulmojnë ata atëherë kur askush nuk e pret, duke rimarrë kështu kontrollin e plotë të Khersonit.

Arsyeja që i shtynë ukrainasit edhe më tepër që të mos i besojnë Putinit, është sepse vetëm pak javë më parë, ai i shpalli 4 rajonet e aneksuara prej ti të Donetskut, Luhanskut, Zaporzizhas dhe Khersonit si tokë ruse, që ai do t’i mbronte edhe me armë bërthamore po të ishte nevoja. Ndërkohë tani, ai po heq dorë prej Khersonit edhe pasi evakuoi të gjithë rajonin dhe nuk lejoi për një përballje mes dy ushtrive në një zonë tashmë të evakuuar që nuk rrezikonte jetën e civilëve.

“Federata Ruse dëshiron ta bëjë Khersonin një “qytet të vdekjes”, tha Podolyak të enjten. “Ushtria ruse po minon gjithçka që mundet: apartamente, kanalizime dhe artileri, dhe po planifikon ta kthejë qytetin në gërmadhë.’

Nga ana tjetër, gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandanti suprem i ushtrisë së Ukrainës, tha se njerëzit e tij kanë filluar të lëvizin drejt qytetit dhe kanë avancuar 4 milje në dy drejtime duke kapur rreth 12 fshatra në 24 orët e fundit. Gjenerali shtoi edhe se ai nuk është në gjendje të konfirmojë ose mohojë nëse tërheqja e rusëve është në fakt reale.

“Ne vazhdojmë të kryejmë operacionin sulmues në përputhje me planin tonë”, ka shkruar ai në një postim në Telegram.

Tërheqja, nëse është e vërtetë, do të ishte disfata më poshtëruese për Vladimir Putinin në një varg të gjatë disfatash që nga fillimi i luftës.

Strategjikisht, qyteti ishte i vetmi pengues i Rusisë në bregun perëndimor të lumit Dnipro dhe humbja e tij vendos automatikisht në rrezik edhe rajonin e Krimesë i cili është kthyer në objektivin përfundimtar të Kievit.

Nga ana tjetër, disa analistë e kanë quajtur këtë lëvizje të Putin, si një mënyrë për t’ia lënë ‘topin’ në fushë Zelenskit – kjo nisur edhe nga fakti se një zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse ditën e djeshme deklaroi se tashmë Rusia ishte gati të ulej me Ukrainën për negociata që do të mund të rezultonin edhe në një marrëveshje paqeje.

Në këtë pikë është tejet e pasigurt se cilat janë qëllimet e vërteta të Putinit, por diçka është e qartë, nëse ushtarët e tij kontaminojnë të gjithë zonën që ata lënë pas me mina dhe granata, kjo nuk ka si të ndihmojë bisedimet për paqe, e as të bindë Zelenskin të ulet në një tavolinë me Putinin.