Rama jashtë kontrollit, nuk ndal fyerjet ndaj opozitës, s'i del inati me Palokën dhe Leskajn

Deputetët e PD, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj, gozhduan kryeministrin Edi Rama gjatë seancës së Kuvendit, duke i kërkuar që të japë sqarime për gjuhën e shthurur që përdori ndaj opozitës. 

I zënë ngushtë, Rama i kërkoi ndihmë fillimisht shoqëruesve të tij gardistë dhe Lindita Nikollës, drejtueses së seancës. Kjo e fundit si gjithnjë i erdhi menjëherë në ndihmë duke qortuar fillimisht Palokën dhe Leskajn, ndërsa papritur njoftoi nisjen e procedimit disiplinor ndaj tyre. 

Komplet i zverdhur në fytyrë, Ramës iu desh të sajonte aty për aty një stigmë ndaj ligjvënësve të PD për të dalë nga situata.

I quajti të dehur dy deputetët demokratë, çka solli më pas edhe dënimin e tyre nga Kuvendi me 10 ditë jashtë seancave plenare, me urdhër të Ramës dhe vendim të Lindita Nikollës.  

Sikleti që i shkaktuan Paloka dhe Leskaj nuk i kishte dalë kryeministrit as deri në mbrëmjen e kësaj të enjte, kur pas mbledhjes së Kryesisë do të villte sërish vrer ndaj opozitës. 

I dalë jashtë kontrollit, Rama nuk ndali fjalorin e padenjë ndaj ligjvënësve të PD, të cilët i quajti bedela që duan ta rrëzojnë atë nga pushteti si dhe të dehur.  

"Unë di që një bedel që interesin e vendit të vet nuk ka kapacitet ta njohë e lëre më ta respektojë dhe e quan normale që paratë e një vendi jo miqësor për të rrëzuar pushtetin, është pa fe, pa iman… Ishin të dehur sepse për pak u deha dhe unë nga aroma e alkoolit që kishin pirë dhe besoj se vetëm të dehurit flasin në atë lloj gjuhe në mes të parlamentit. I dehur nuk është asgjë tjetër se një status i veçantë kur ke konsumuar lëndë helmuese luftarake dhe gjuha të del jashtë kontrollit, dhe ato personazhe i nxjerrin ato fjalë edhe herë të tjera. Ju dhashë një përgjigjie shumë të gjatë, nuk jam këtu për të humbur kohë". 

Kuptohet që kryeministri ka tashmë një shqetësim evident dy ditë para protestës kombëtare të opozitës para zyrës së tij. 

Masiviteti i kësaj proteste jo vetëm e tremb në palcë kryeministrin, por i shkurton edhe ditët e qëndrimit të tij në karrigen e kreut të qeverisë. 

Prandaj dhe Rama ka humbur qetësinë e po eskalon drejt një sjellje prej të çmenduri.