Kurti pas pritjes nga Macron në 'Elysee': Propozimi franko-gjerman, si bazë e mirë për diskutime

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për pritjen që i është bërë atij dhe presidentes Vjosa Osmani në Pallatin Elize, shkruan Syri.net Kosova.

Kurti ka shkruar se në Pallatin Élysee janë pritur nga Presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron.

"Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. 

Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme", ka shkruar Kurti.

"Theksuam se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik. Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore.".