NATO: Rusia gjendet nën presion të madh në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë sot se Rusia gjendet në presion të madh në Ukrainë, pasi që Moska urdhëroi tërheqjen e trupave të saj nga qyteti i Khersonit në jug të Ukrainës.

Pas takimit me kryeministren italiane Girogia Meloni, Stoltenberg, bëri të ditur se NATO në ditët në vijim do të vëzhgojë dhe kontrolloj situatën që të binden nëse rusët janë tërhequr nga pjesa perëndimore e brigjeve të lumit Dnipro.

“Ajo çfarë është e qartë është që rusët janë nën presion të madh dhe nëse largohen nga Khersoni, do të ishte fitore e madhe për Ukrainën”, shtoi Stoltenberg para gazetarëve pas bisedës që pati me kryeministren italiane.

Ai shtoi se NATO do të mbështesë Ukrainë “sado që të jetë e nevojshme”.

“Mbështetja e pa precedentë që i kemi ofruar ne NATO, përfshinë Italinë, që çdo ditë sjellë ndryshime në fushëbetejë dhe mbetet ndihmë kyçe për avancimin e Ukrainës”, shtoi i pari i Aleancës Veri-Atlantike.

Kujtojmë që Meloni muajin e kaluar mori detyrën e kryeministres italiane, e në takimin me Stoltenbergun tha se qeveria e saj është mbështet mbrojtjen e “integritetit territorial, sovranitetit dhe çlirimit të Ukrainës”.