Djemtë në shtëpi bari në Angli për të shpëtuar nënat nga fermat dhe fasoneritë e kanabisit në Shqipëri

Nga Elkier Bushkolaj/

Në Berat  këtë të enjte u zbulua një serë prej dy hektarësh e mbjellë me kanabis, teksa numri i punonjësve në të ishte mbi 120, të cilët tashmë kanë përfunduar në prangat e policisë. Fasoneri  kanabisi ose ferma kanabisi të ngjashme gjen vetëm në vende si Maroku, I cili çdo vit nderohet me medalje ari për sasinë e kanabisit të eksportuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian. 

Në Shqipëri edhe pse shifrat e sasive të kanabisit të sekuestruara në komunikatat zyrtare të policisë janë qesharake, fakt është që në dy javët e fundit në një fermë kanabisi në Berat dhe  një fasoneri kanabisi në Shkodër, janë arrestuar 150 persona, shumica prej tyre gra, nga rrethet e verilindjes dhe zonat rurale të Tiranës e Durrësit. Familjet  e këtyre grave do përballën më kalvarin gjyqësor të drejtësisë së re dhe pasojat sociale që sjell ky fenomen.

Shumë djem e vajza të këtyre grave të arrestuara në këto ferma kanabisi me siguri do ndërmarrin udhëtimin me gomone drejt Anglisë, për të çliruar prindërit nga kthetrat e varfërisë. Shumë prej tyre mund të detyrohen të punësohen në shtëpi bari në Britani, që të largojnë nënat e baballarët e tyre nga fasoneritë e kanabisit në Shqipëri. Shpresoj së paku që pronarët e fermës së kanabisit në Berat të mos kenë përfituar subvencione nga Ministria e Bujqësisë, por këto subvencione të kenë shkuar për ato fermerë që derdhin djersë për të punuar tokën e tyre dhe mbajtur ekonomitë familjare e lokale.