PD: Spiro Vaso, anëtar i Këshillit Kombëtar, kandidat në primare për bashkinë e Sarandës

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Spiro Vaso, prezantoi në mesditë, kandidaturën në primare për bashkinë e Sarandës. Në një deklaratë para mediave, Vaso dha arsyet e përfshirjes së tij në garën brenda PD-së, përzgjedhjes së kandidatit më të votuar nga demokratët, i cili do të përballet më tej me kandidatin e mazhorancës në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

"Unë jam Spiro Nikolla Vaso dhe kam vendosur që të kandidoj ne primaret për kryetar të Bashkisë Sarandë, - e nisi fjalën ai. - Kam përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe aktualisht ushtroj profesionin e avokatit.

Angazhimi im politik daton prej vitit 2005 në Forumin Rinor të PD Sarandë , në vitin 2016 jam përzgjedhur Anëtar i kryesisë së FRPD dhe anëtar i Këshillit Kombëtar për një mandat 4 vjecar.

Ndërkohë në Kuvendin e 30 prillit demokratët me votëbesuan për të qenë 1 nga 150 anëtarët e Keshillit Kombëtar.

Pas propozimeve te Grupseksioneve në degën e Partisë Demokratike Sarandë , dhe konsultimeve me qytetarët dhe demokratët e këtij qyteti, mora këtë vendim për t'i rikthyer qytetarëve të Sarandës pushtetin vendor në zgjedhjet e 14 majit.

Gjatë këtyre 4 viteve në qytetin ku unë kam lindur dhe jam rritur, bashkia është perdorur për interesa personale të Adrian Gurmës, i cili perlën e jugut, Sarandën e ka kthyer në një ndërmarrje për militantët socialist, duke i mbyllur dyert qytetarëve dhe demokratëve të ndershëm.

Ndaj si një i ri i këtij qyteti mora këtë vendim që së bashku me ju të largojmë këtë të keqe e cila e ka kapur qytetin tonë prej 12 vitesh.

Ndihem i trishtuar se si pushteti lokal dhe ai qendror i Partisë Socialiste i kanë detyruar të rinjtë që të braktisin vendin si dhe atyre që jetojnë aktualisht ne këtë qytet, u kanë mbyllur çdo mundësi për një të ardhme më të mirë.

Misioni im, si një i ri që kam vendosur të perballem me arrogancën e kësaj qeverie është kthimi i pushtetit lokal te qytetarët e Sarandës. Ftoj anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në procesin e primareve i cili rikthen dinjitetin e tyre. Kjo garë i nderon të gjithë kandidatët në keto primare, ndaj suksese të gjithëve dhe sëbashku do të fitojmë bashkinë e Sarandës."