‘10 mijë shqiptarë kanë lënë vendin për të ardhur në Britaninë e Madhe, nuk mund të vazhdojmë kështu’

Nga James Daly, deputet i Partisë Konservatore britanike

Ne duhet të ndreqim sa më shpejt të jetë e mundur sistemin tonë të dëmtuar, teksa numri i njerëzve që rrezikojnë jetën me kalimin e La Manshit vazhdon të rritet e të rritet.

Ndalimi i abuzimit me sistemin dhe përshpejtimi i kthimit mbrapsht të imigrantëve të paligjshëm duhet të jetë prioritet kyç për kryeministrin e ri.

Pasi kam folur me kryeministrin dhe sekretaren e brendshme, e di që zgjidhja e këtij problemi është prioritet për të dy, por na duhet të japim rezultate tani.

Vetëm numri i njerëzve që vjen nga Shqipëria është rritur 40% midis majit dhe shtatorit të këtij viti.

Kemi parë mbi 10 mijë meshkuj të rritur nga Shqipëria të moshës nga 18 deri në 40 vjeç që vijnë këtu e përpiqen të përfitojnë nga sistemi zemërgjerë që kemi për azilin, ose thjesht zhduken në ekonominë e zezë. Të tjerë do të bëhen pjesë e kriminalitetit.

Mos më besoni mua për këtë. Shihni çfarë u tha deputetëve muajin e kaluar Dan O’Mahoney, komandanti i Forcës Kufitare për kërcënimin nga klandestinët në La Mansh.

Ai fajësoi bandat kriminale që kanë fituar terren në Francën veriore për “rritjen eksponenciale” të numrit të të ardhurve.

Kur mbërrijnë atje, shqiptarët vihen në kontakt me bandat shqiptare në Britani që po dominojnë trafikun e njerëzve, drogës, prostitucionit dhe armëve. Kjo gjë nuk mund të vazhdojë më.

Numri i atyre që vijnë – dhe i problemeve që sjellin – është shumë i madh.

Ne nuk kemi mjaftueshëm hotele në këtë vend për t’i strehuar nëse vazhdojnë të vijnë me këto shifra.

Nuk është vetëm Kent që po ndjen presionin, autoritetet lokale në gjithë vendin po vuajnë në strehimin e numrave në rritje.

Çmenduri e madhe

Ne nuk mund të vazhdojmë të shpenzojmë 6.8 milion paund në ditë për hotele, 5.6 milion prej të cilave shpenzohen për të ardhurit me gomone përmes La Manshit.

Mënyra se si përpunohen kërkesat për azil nga Ministria e Brendshme është për të ardhur keq dhe duhet ndryshim i menjëhershëm.

Deri tani janë përpunuar vetëm aplikimet e katër për qind të numrit total të atyre që kërkojnë azil e që kanë mbërritur vjet me gomone. Vendimmarrësit marrin mesatarisht 1.7 vendime azili në javë.

Kjo mungesë produktiviteti është qesharake dhe nuk bën asgjë në përpunimin e numrit të madh të kërkesave.

Shumë nga 10 mijë shqiptarët që erdhën përmes La Manshit sivjet pa diskutim që do të ngrenë pretendime bazuar në dispozitat e skllavërisë moderne.

Jo vetëm që Shqipëria është vend i sigurt, por ata kanë kaluar përmes vendeve të tjera të sigurta si Franca para se të vijnë këtu. Plus që për përpunimin e pretendimeve të tyre do të duhen mesatarisht 450 ditë.

Çmenduri totale!

Nuk na ka mbetur edhe shumë kohë për t’u provuar atyre që na përkrahën më 2019 se e kemi realizuar Brexit dhe më në fund kemi rimarrë kontrollin e plotë të kufijve tanë.

Pasojat elektorale të mosdhënies rezultat në këtë çështje janë të dukshme, me humbje të përkrahjes në bastionet tradicionale konservatore dhe kjo krizë do të na çonte drejt humbjes së zgjedhjeve të ardhshme dhe vende marxhinale si i imi (në parlament) do t’u riktheheshin shkak të kësaj krize t

Aksion i shpejtë

Atëherë, cila është zgjidhja e kësaj krize?

I mirëpres komentet e Rishi Sunak se do të bënte gjithçka për këtë çështje dhe kam besim se kryeministri do të japë rezultat.

Një marrëveshje e re ambicioze me Francën – përfshirë personel britanik përtej La Manshit – do të ndihmonte për të ndaluar arritjen e brigjeve tona nga mijëra persona.

Por duhet të sigurohemi që edhe ata që arrijnë në mënyrë të paligjshme të kthehen menjëherë mbrapsht, për ta shkurajuar marrjen e mundimit.

Vetëm pak mijëra të huaj të ardhur ilegalisht janë kthyer mbrapsht këtë vit.

Gjermania dhe Franca kanë arritur marrëveshje me Shqipërinë për të marrë mbrapsht mijëra njerëz që shkojnë në vendet e tyre pa asnjë mjet për të qenë atje.

Edhe Britania duhet të ketë një marrëveshje të ngjashme dhe jam i lumtur që ministrat po punojnë për të ndërtuar mbi marrëveshjen aktuale.

Ajo do të na lejonte të vepronim shpejt për të nxjerrë jashtë ata njerëz që nuk duhet të jenë këtu.

Dhe kjo do t’u provonte votuesve se ne mund ta shkatërrojmë atë rrugë për ta bërë të papërdorshme për kontrabandistët e shpifur që përfitojnë nga dëshpërimi i njerëzve.

Britania duhet të jetë krenare për historianë e saj në ndihmën për mijëra njerëz në nevojë në gjithë botën. Por ne duhet të ndjekim shembullin e vendeve të tjera evropiane dhe të sigurohemi që njerëz pa asnjë pretendim real, që kërkojnë të përfitojnë nga mikpritja jonë, të kthehen mbrapsht sa më shpejt të jetë e mundur.

*Publikuar nga gazeta ‘The Sun’