Muriqi: Trajneri ka të drejtë, jam shumë i shëmtuar – mendoj se gruaja ime nuk sheh mirë

Mallorca mposhti mbrëmjen e djeshme Atletico Madridin me rezultat 1-0 në “Son Moix”.

Fitorja skuadrës spanjolle i erdhi nga sulmuesi ‘dardan’, Vedat Muriqi, apo siç po njihet në Mallorca “pirati”, i cili shënoi në pjesën e parë, që është edhe goli i tij i tetë sezonal– duke u bërë kështu golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat.

Muriqi pas ndeshjes zhvilloi një intervistë për radion “Radioestadio” dhe sqaroi nofkën e tij: “Më thërrasin pirat, për këtë arsye edhe festoj kështu”.

Sulmuesi ‘dardan’ po pëlqehet shumë nga tifozët e Mallorca-s, por thekson se “nuk mendoj se jam ende një idhull, kam shtatë muaj që jam në Mallorca, por shpresoj ta përmbyll karrierën time këtu dhe të them se kam qenë idhull”.

“Ende nuk i kam mbërritur nivelet e Etoo’s apo Webós”, thotë ai më tej.

Ndërkohë, Muriqi foli edhe për deklaratat e trajnerit të tij, i cili tha se “Muriqi është i shëmtuar, por lojtar shumë i mirë”. “Aguirre ka të drejtë, jam shumë i shëmtuar, por jam edhe pak aktraktiv, apo jo? Mendoj se gruaja ime nuk sheh mirë”, bëri shaka Muriqi.

Intervista vazhdoi të bëhej më serioze, kur folën për Kosovën e shkatërruar nga lufta. Muriqi sqaroi se ai ka punuar si kamarier në një restorant në Kosovë sa ishte i ri. “Në Kosovë, fëmijët fillojnë të punojnë nga mosha 9-vjeçare”.

Ai më pas u pyet edhe për luftën në Ukrainë, përvojë të cilën e kishte përjetuar edhe vetë.

Muriqi tha se “gjërat që kam parë unë, janë të çmendura, nuk duhet t’i shohë askush ato, asnjë njeri, e lëre më fëmijë”.

“Shpresoj që e gjithë bota të mund të jetojë në paqe”.