Mitrovicë: Të Dërguarit e Gjermanisë dhe të Sllovenisë takohen me krerët e Listës Serbe

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe i dërguari i posaçëm i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh, sot, në Mitrovicën e veriut, kanë takuar krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Sipas komunikatës së lëshuar nga ky subjekt politik, i cili ditë më parë vendosi të tërhiqet nga të gjitha institucionet e Kosovës, në këtë takim është biseduar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, njofton RTK.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori gjerman, Joern Rohde dhe ambasadorja sllovene, Minca Benedejçiq.

Dy emisarët mbrëmë u takuan edhe me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuća, shefin e misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Vigemark e shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Suniog.