Meta - Misionit të OSBE: Nevojë alarmante për klimë të qetë zgjedhore, pa ndikimin e krimit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka diskutuar në një takim me Misionin e OSBE/ODIHR nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore në 14 maj 2023 mbi bazën e standardeve, duke  e konsideruar si të qëllimshme nga mazhoranca, mosangazhimin e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore në zgjidhjen e problemeve. Në një shënimin që ka publikuar sot në Fb, Ilir Meta tregon më në hollësi mbi çështjet që trajtuan:

“Prita në një takim me kërkesën e tyre Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR-i, në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Partia e Lirisë ka kërkuar me ngulm, që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të adresojë me prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHR për të përmirësuar të gjitha problemet madhore që u panë në zgjedhjet e 25 prillit, ndaj ne e dënojmë zvarritjen e qëllimshme që mazhoranca i bën punës së Komisionit dhe të trajtimit të problemeve periferike që nuk i japin përgjigje problemeve kritike të zgjedhjeve, duke goditur besimin e qytetarëve tek standardet e zgjedhjeve.

U ritheksova përfaqësuesve të ODIHR nevojën alarmante për të forcuar zbatimin e ligjit për një klimë zgjedhore të qetë, pa ndikimin e krimit dhe administratës publike në zgjedhje, në mënyrë që të kemi një pjesëmarrje sa më të lartë dhe rezultat të gjithëpranuar.

Partia e Lirisë mbetet në çdo kohë e angazhuar për dialog politik dhe ekspertizë teknike të nivelit të lartë, në mënyrë që qytetarëve t'u ofrohen standartet më të larta të zgjedhjeve dhe çdo shqiptar të votojë i lirë, siç i takon një populli europian," e përfundon Ilir Meta.