Koka nën akuzë/ SPAK mbyll hetimin për inceneratorin e Elbasanit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasan. Burime bëjnë me dije se dosja e mbyllur hetimore u është dorëzuar avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të Lefter Kokës dhe Klodian Zotos.

Tashmë u takon avokatëve, të cilët kanë 10 ditë kohë, të bëjnë pretendimet e tyre në lidhje me këto përfundime që më pas dosja të paraqitet në GJKKO dhe kjo e fundit të vendosë kalimin për gjykim apo jo në seancë paraprake.

Deri tani nga të akuzuarit, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është personazhi më i rëndësishëm i hetimeve.

Ndërkohë me masa sigurie janë dhe Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit për Dhënien e Inceneratorit dhe ish-drejtor i Politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri- ish-anëtar i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit; Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për Dhënien e Koncesionit; Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për Dhënien e Koncesionit; Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit për Dhënien e Koncesionit.

Hetimet për inceneratorin e Elbasanit janë të parat që përfundojnë nga SPAK, teksa në proces përfundimtar, thonë burimet, është edhe ai i Fierit.