Dëbimi me forcë prej rusëve, i qytetarëve ukrainas, përbën krim lufte, konstaton Amnesty

Organizata Amnesty International deklaron se dëbimi dhe transferimi me detyrim i qytetarëve ukrainas nga territori i pushtuar nga Rusia, përbën krim lufte dhe është i ndaluar nga ligji ndërkombëtar humanitar.

Në një raport të ri të publikuar nga Amnesty International për luftën në Ukrainë, ky aktivitet ka qenë një procedurë e rregullt trajtimi ndaj qytetarëve ukrainas,  nga trupat ruse.

Znj. Agnes Callamard, Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International foli për Euroneës në lidhje me të dhënat e raportit.

“Ky raport ka të bëjë me tragjeditë familjare, ka të bëjë me ndarjen e familjeve, me ndarjen e fëmijëve nga prindërit, për baballarët që duhet të ndahen.

"Bëhet fjalë për gratë që humbasin burrat e tyre. Ky raport ka të bëjë me transferimin e detyruar, dëbimin e detyruar të ukrainasve në territoret e kontrolluara nga Rusia apo në vetë Rusinë. Një situatë që, për mendimin tonë, përbën krim lufte dhe një krim të mundshëm kundër njerëzimit". tha Callamard.

Pë raportin u intervistuan 88 qytetarë ukrainas. Aty thuhet se disa nga të intervistuarit janë dëbuar dhe transferuar me forcë nga Mariupoli.

Organizata zbuloi gjithashtu se grupet në rrezik u zhvendosën, si fëmijët e pashoqëruar, të moshuarit ose personat me aftësi të kufizuara.

Pas dëbimit, Amnesty thotë se shumë prej këtyre qytetarëve iu desh të kalonin nëpër procese të gjata kontrolli.

Në disa raste, këto procese filtrimi përfshinin marrje në pyetje, ndalim, torturë ose trajtim çnjerëzor, konstatoi Amnesty.