SPAK përfundon hetimet për incineratorin e Elbasanit, u komunikohet akuza Lefter Kokës, Gugalles dhe Zotos

Përfundojnë hetimet për incineratorin e Elbasanit. Prokurori Klodian Braho u ka komunikuar avokatëve të të pandehurve akuzat. 

"Sot avokatët e të pandehurve u njohën me përfundimin e hetimeve. Sipas procedurës pasi u komunikohet mbyllja e hetimeve avokatët duhet të dorëzojnë pretendimet e tyre brenda afatit 10 ditor dhe më pas dosja shkon në gjykatë dhe është gjyqtari paraprak që do të vendosë" informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi.

Për incineratorin e Elbasanit është i arrestuar ish Ministr Lefter Koka, ndërsa në kërkim janë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Avokati i Klodian Zotos, Ardian Leka, si dhe avokatët e Lefter Kokës dhe Stela Gugalles u njohën sot me përfundimin e hetimeve

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të inceneratorit të Elbasanit.

Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zoto akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Me vendimin e 14 dhjetorit 2021 u vendos dhe sekuestroja e incineratorit.  SPAK shpjegoi atëherë se Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare. Po ashtu ata i kanë dhënë ryshfet ish-Ministrit në mënyrë që ky i fundit të lejonte ndërtimin e inceneratorit.

Pritet që brenda javës të mbyllen dhe hetimet për incineratorin e Fierit.