VIDEO-SYRI TV/ Bashkëpunimi serbo-arab në Portin e Durrësit, rasti i ngjashëm në Minskun e Lukashenkos

Investitorët, të cilëve kryeministri Edi Rama i kaloi me urgjencë projektligjin për të marrë Portin e Durrësit, njihen si biznesmenët e afërt me mikun e Vladimir Putin, Aleksandër Lukashenko dhe investuesit e projektit 4 miliardë euro në Bjellorusi. Në një kohë, që pronarët e 60 % të kapitaleve të kësaj kompanie nuk dihen, Mohamed Alabar rezulton ortak i vëllezërve Kariç, financues të dikurshëm të Sllobodan Milosheviç, e të sanksionuar nga SHBA e Bashkimi Europian

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama kaloi me urgjencë projektligjin për t’i hapur rrugë Portit të Durrësit, duke e cilësuar si një projekt që do të gjenerojë 2 miliardë euro e 12 mijë vende pune. Por opozita e ka cilësuar këtë si aferën më të madhe të shekullit duke ngritur pikëpyetje si me favorizimin që po i bëhet investitorëve, por edhe njerëzit që fshihen pas saj.

Po kush janë investitorët që shfaqen dhe një pjesë e padukshme e tyre? Kompania investuese është e regjistruar në parajsa fiskale, një pjesë e biznesmenëve të përfshirë janë zbuluar, por disa të tjerë duket se nuk do të mësohen kurrë. Personazhi kryesor i përfshirë, në projektin e cilësuar si afera e shekullit, është Muhamed Alabbar, kryetar i bordit të “Emirates Blue Sky LLC”. Përveçse është parë shpesh në krah të kryeministrit Edi Rama, ai njihet edhe si investitori i suksesshëm e i afërt me mikun e Vladimir Putin, Aleksandër Lukashenko.

Në 2 tetor të vitit 2020, Muhamed Alabbar dhe kryeministri bjellorus Roman Golovchenko shtrënguan duart në ceremoninë e përurimit të një projekti gjigant në Minsk. I pagëzuar me emrin “North Shore”, projekti me vlerë 4 miliardë euro parashikon zhvillimin e pjesës veriore të kryeqytetit bjellorus, i konceptuar si një qytet brenda qytetit me apartamente, qendra tregtare, ekspozita, hotele dhe universitete.

Por ky investim erdhi pas vizitave të shpeshta në Alabar në Minsk ku është pritur personalisht nga presidenti Lukashenko, e sipas njoftimeve të presidencës bjelloruse, në takime është diskutuar për investime në ndërtime.

Por vetëm 2 muaj pas këtyre vizitave të shpeshta në Minsk, Dana Holdings, kompania zbatuese e projektit do të vendosej në sanksione nga Bashkimi Europian si përfituese dhe mbështetëse e regjimit të Lukashenkos.

Por fijet e bashkëpunëtorëve të Lukashenkos duket se janë të shtrira dhe në rajonin e Ballkanit. Kompania e themeluar në shtator të vitit 2008 në Bjellorusi, “Emirates Blue Sky LLC, gjatë këtyre viteve e ka ndryshuar disa herë emrin. Por ajo që nuk ka ndryshuar asnjëherë janë pronarët që qëndrojnë pas saj. Ata janë vëllezërit Kariç, një nga familjet më të fuqishme në Serbi. Sreten, Dragomir, Zoran dhe Bogoljub Kariç janë katër vëllezër që u lindën nga një familje serbe në qytetin e Pejës në Kosovë. Ata u bënë të njohur në fillim të viteve 90’ si sponsorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të regjimit të Sllobodan Milosheviçit. Pjesë e qarkut të ngushtë të familjes Miloshevic deri edhe ministra në qeverinë e tij, karriera e vëllezërve Kariç në biznes dhe politikë do të vazhdonte edhe pas rënies së regjimit.

Në vitin 2004, Dragomir Kariç themeloi partinë Forca e Lëvizjes Serbe dhe sot ai është një nga aleatët më të ngushtë të Aleksandër Vuçiç. Por pasuria e tyre do të zgjerohej më tej falë lidhjes që krijuan me diktatorin bjellorus Lukashenko.

Në vitin 2006, Bogoljub Kariç u akuza për evazion fiskal dhe mashtrim të rëndë financiar nga autoritetet serbe. Për t`i shpëtuar dënimit, ai u arratis në Bjellorusi, ku krijoi lidhje shumë të ngushta me presidentin bjellorus Lukashenko. Që atëherë vëllezërit Kariç kanë bërë biznese miliardere në Bjellorusi, përmes kompanisë së tyre Dana Holdings.

Pasi lidhjet mes Dana Holdings, Emirates Blu Sky dhe vëllezërve Kariç u ekspozuan, të gjitha kompanitë u përfshinë në sanksione. Pas Dana Holdings, presidenti i SHBA-ve vendosi me urdhër të posaçëm ekzekutiv në sanksione edhe Emirates Blue Sky, madje edhe personalisht Bogoljub Kariç për përfitim nga dhe mbështetje të regjimit të Lukashenkos. I përballur me këtë situatë, Alabbar u përpoq ta distanconte veten nga Emirates Blue Sky. Pas disa manovrave të vazhdueshme, kompania Emiratës Blue Sky u zëvendësua më Riverside Development Holdings Limited e regjistruar në Dubai, që u prezantua si kompani e Alabbarit. Por me sa duket kjo ishte e gjitha një manovër për të anashkaluar sanksionet ndaj vëllezervë Kariç.

Riverside Development Holdings Limited, e regjistruar ne Bjellorusi, zotërohet nga një kompani me të njëjtin emër e regjistruar ne Dubai. Drejtori ekzekutiv i saj është një personazh i quajtur Mostafa El Tobgy. Ky është krahu i djathtë dhe miku më i ngushtë i vëllezërve Kariç, i cili ka qenë drejtor në shumë biznese të tyre. Muhamed Alabbar dhe Mustafa El Togby dyshohet se janë partnerë të paktën edhe në një kompani tjetër, çka sipas Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dëshmon se vëllezërit Kariç nuk u larguan asnjëherë nga projekti i Minskut dhe partneriteti me Alabbarin. Që Muhamed Alabbar është në lidhje biznesi me vëllezërit Kariç, kjo është e faktuar. Tani shtrohet vetëm një pyetje: A u shtrinë fijet serbe deri në Portin e Durrësit? Ajo që dihet deri më tani është se North East Real Estate Holdings Limited, kompania e cila do të shkatërrojë Portin mijëvjeçar të Durrësit është e regjistruar në Dubai, njësoj si Riverside në Bjellorusi. Dhe 60 për qind e aksioneve të saj nuk dihet kush i zotëron.