Erdogan flet për marrëdhënien e tij me Putinin: Solidariteti ushqen respekt mes nesh

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vlerësoi marrëdhënien e tij me Vladimir Putin , duke folur për "besimin dhe solidaritetin" që është krijuar mes tyre. 

Presidenti turk shpjegoi se falë këtyre veçorive ai arriti të bindë homologun e tij rus që t'i rikthehet marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas.

“ Nuk mund ta kishim ndërmarrë këtë hap nëse nuk do të kishte besim mes nesh ”, tha ai duke shtuar:

 “Besimi dhe respekti mes nesh na inkurajon të ndërmarrim këtë lloj hapi. Kështu kanë funksionuar gjërat deri tani. Solidariteti mes nesh, në fusha të tilla si energjia bërthamore, iniciativat në industrinë e mbrojtjes, nxisin respektin mes nesh” , tha ai.

Eksportet e grurit ukrainas kryhen përmes një korridori humanitar në Detin e Zi.

 Marrëveshja u rifillua pas disa ditësh pezullim, kur Erdogan zhvilloi bisedime me Putinin .

Turqia furnizon Ukrainën me drone dhe ka blerë sistemin e mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia dhe po bashkëpunon me Kremlinin për një termocentral bërthamor që po ndërtohet në Turqinë jugore.

Ndërsa të martën, Turqia filloi të paguajë për gazin rus në rubla , si pjesë e marrëveshjes që kishte nënshkruar verën e kaluar dhe mbulon ¼ e dërgesave të gazit natyror. 

Ajo gjithashtu përpiqet të mbajë një pozicion ndërmjetësues midis Kievit dhe Moskës, duke mos marrë pjesë në sanksionet kundër Rusisë.

Erdogan gjithashtu muajin e kaluar urdhëroi qeverinë e tij që të fillojë punën në "qëndrën e gazit" të propozuar nga Vladimir Putin për të eksportuar gazin rus në Evropë.