Pronari emigrant në Greqi, banesat në Krujë ishin kthyer në ‘shtëpi bari’ nga familja kujdestare

Dy ambiente në Krujë, në pronësi të një emigranti në Greqi ishin përshtatur në “shtëpi bari”, ku kultivoheshin bimët e marijuanës nga familja kujdestare.

Tre personat e familjes kujdestare, babai dhe dy djemtë e tij, janë në kërkim nga forcat e policisë të Krujës, pasi materialet e nevojshme u gjetën fillimisht nga efektivët e policisë në brendësi të një furgoni, ku u sekuestruan pajisje të shumta elektrike, si llambat e nevojshme për ngrohjen e ambientit.

Në ambientet e përshtatura, që ndodheshin në fshatin Derven, pikërisht në lokalitetin e njohur si “Kodër Dushk”, policia gjeti dhjetëra llamba të tjera si dhe 206 bimë narkotike, të kultivuara në vazo.

Tre personat e akuzuar, të cilëve emigranti i kishte besuar mbikëqyrjen e pronës, janë tashmë në kërkim. Bëhet fjalë për shtetasin Qerim Xeka, dhe djemtë e tij Kledi dhe Lutfi Xeka.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.