Mourinho sulmon ashpër një lojtar të Romës dhe i kërkoi të largohej: Ai na tradhtoi

Trajneri i Romës, Jose Mourinho kritikoi ashpër lojtarin e paidentifikuar si asnjëherë më parë në karrierën e tij, duke e akuzuar për tradhti ndaj skuadrës pas barazimit 1-1 ndaj Sassuolos.

Sipas “The Special One”, ai uli përpjekjet e skuadrës dhe i kushtoi Romës dy pikë, duke qenë se Sassuolo shënoi golin e barazimit më pas.

Trajneri portugez nuk e përmendi emrin e lojtarit në fjalë, por u tha gazetarëve pas ndeshjes se i kishte kërkuar që të largohej nga Roma në merkaton e janarit.

“Më vjen keq që përpjekjet e skuadrës u rrëzuan nga qëndrimi i një lojtari joprofesionist që na tradhtoi. Nuk më keni parë të flas kështu për Roger Ibanez kundër Lazios, sepse gabimet janë pjesë e lojës dhe qëndrimi i tij nuk ka qenë kurrë një problem. Por, ky lloj qëndrimi joprofesional që nuk është i drejtë me shokët, kjo është ajo që më zhgënjeu. Një pikë larg shtëpisë nuk është ende një rezultat negativ dhe unë jam i kënaqur me qëndrimin e përgjithshëm të ekipit tim", tha Mou, duke shtuar:

 “E kam ftuar lojtarin në fjalë që të gjejë një ekip të ri në janar, por dyshoj se kjo do të ndodhë”.

I pyetur nga gazetarët se kush kishte qëndrim të gabuar dhe tradhtoi shokët e skuadrës, Mourinho nuk pranoi të thoshte.

Megjithatë, siç raporton Corriere dello Sport, ishte holandezi Rick Karsdorp ai që mban fajin për golin e Sassuolos dhe që pati një sërë lëvizjesh të këqija pas futjes në lojë. Karsdorp është nën kontratë me Romën deri në qershor të vitit 2025.