Deschamps publikon listën e Francës për në Katar, nuk grumbullon portierin e Milanit

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka publikuar listën me 25 lojtarët e grumbulluar për në Botërorin e Katarit.

“Gjelat” që nisen për Katar me misionin për të mbrojtur statusin e Kampionëve të fituar në Rusi, këtë Botëror ashtu edhe siç ishte lajmëruar nuk do të kenë në dispozicion për shkak dëmtimi, dyshen e mesfushës, Kante dhe Pogba.

Nga ana tjetër, Raphael Varane i Manchester United ia del mbanë të jetë pjesë e kombëtares në eventin më të rëndësishëm duke qenë se ishte në dyshim për një dëmtim të pësuar në Premier League disa ditë më parë.

Nga ana tjetër, jashtë mbetet Mike Maignan, portieri i Milanit, ndërsa në mesfushë ka vend për lojtarin e Marseille, Jordan Veretout si dhe për dyshen e talentuar të Real Madrid, Tchouameni e Camavinga.

Sulmi i Francës më pas është shpërthyes me emra si Mbappe, Benzema, Dembele, Griezmann, Giroud apo edhe Nkunku.

Kujtojmë se në Botërorin e Katarit, Franca është shortuar në Grupin D së bashku me Danimarkën, Tunizinë dhe Australinë. Pikërisht me këta të fundit, Les Bleus do ta nisin aventurën e tyre në Katar më datë 22 nëntor, në orën 20:00.