Zhvatja e Portit të Durrësit/ Danaj: Rama nuk do ndalet, synon të shtrijë aferën deri në jug

Eksperti i ekonomisë Vjoli Danaj, i ftuar në 'Task Force' me Sonila Meçon në Syri Tv, shprehu hapur shqetësimin e tij mbi aferën korruptive të 'Portit të Durrësit', teksa u shpreh se sipas tij, synimi nuk është vetëm në këtë lokacion por deri në jug të vendit.

“Po të shohim gjithë këto vite që kemi pasur qeverinë të gjitha partneritetet publike private, qoftë edhe Air Albania si një kompani që ka qenë një bashkëpunim shteti me kompaninë turke e cila ka pasur probleme të shumta dhe arriti deri në sekuestrim të pasurisë.

Por nëse ne shikojmë, në Porto Romano çfarë po bëhet sot? Një privat ka filluar të bëjë investimin, gjithë ajo zonë, kodra çfarë kanë qenë janë rrafshuar dhe po bëjnë investime me arsyen që do bëhet një port industrial, por nga ana tjetër po flitet sikur ai port po bëhet gati për transferimin e 'Portit të Durrësit'. Për t’ju përgjigjur pyetjes tënde: A do bëhet? Tashmë kanë filluar, privati që është një nga personat që merr gjithçka në ekonominë shqiptare, ka filluar tashmë investimin, pa u bërë tenderi, ka filluar që ta marrë dhe të bëjë punime dhe kjo është një dhuratë që po i bëhet.

Dhe kjo është se nga ana tjetër kemi nga 1920 deri sot në Durrës janë bërë 1.3 miliardë euro, plus t'i shtojmë edhe pjesën e tokave që janë toka shtetërore, plus dhe heqjen e 4 përqindëshit deri në këtë fazë jemi diku tek 3.8 miliardë euro që u japim atyre të ashtuquajturve investitorë.

Ajo që më shqetëson është se synimi nuk është vetëm 'Porti i Durrësit' por shtrirja deri në jug të vendit. Nga Porti i Durrësit me statusin e investitorit startegjik këtij i lind e drejta që të anashkalojë të gjitha procedurat”, u shpreh Danaj.