Argjentina shkon në Kupën e Botës pa një nga lojtarët kryesorë

Argjentina do të jetë pak më e dobët në Botërorin e Katarit, duke pasur parasysh se një nga lojtarët kyç nuk do të jetë në turne për shkak të dëmtimit.

Sipas mediave argjentinase, mesfushori i Villarrealit, Giovani Lo Celso është lënduar në fund të tetorit dhe ende nuk është rikuperuar dhe me gjasë do t'i nënshtrohet një operacioni.

Lo Celso, lojtari pa të cilin nuk mund të imagjinohet mesfusha e Argjentinës, është lënduar në minutën e 25-të në ndeshjen me Athletic Bilbao dhe bëhet fjalë për një dëmtim të muskujve të këmbës.

Në Argjentinë dhe Villarreal shpresonin që lojtari të rikuperohej  vetë nga dëmtimi, por duket se Lo Celso, i cili ka veshur 41 herë fanellën e kombëtares, do t’i duhet të kryej një operacion.

Në Botëror, argjentinasit janë në grup me Meksikën, Poloninë dhe Arabinë Saudite, me të cilët ndeshjen e parë do ta zhvillojnë më 22 nëntor.