U aksidentua gjatë punës në guroren e Kolonjës, nisin hetimet për administratorin

Kanë nisur hetimet për administratorin e gurores në Kolonjë, në të cilën u aksidentua dje punonjësi 43-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në një gurore, në të cilën gjatë punës u aksidentua një punëtor, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. D., 58 vjeç, banues në Ersekë, Kolonjë, me detyrë administrator i gurores.

Njoftimi i Policisë

Kolonjë/ Procedohet penalisht, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, administratori i gurores në të cilën, ditën e djeshme, gjatë punës, u aksidentua një punëtor.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në një gurore, në të cilën gjatë punës u aksidentua një punëtor, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. D., 58 vjeç, banues në Ersekë, Kolonjë, me detyrë administrator i gurores.

Procedimi penal ndaj këtij shtetasi filloi pasi në guroren e kompanisë që ai administron, në afërsi të fshatit Selenicë, Kolonjë, shtetasi R. D., 43 vjeç, banues në Ersekë (punëtor), duke punuar me një makineri, ka mbetur i bllokuar dhe për pasojë ka marrë dëmtime në trup. Aktualisht 43-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.