Mashtrime me ‘Call Center’, policia arreston 14 persona në Prishtinë

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar 14 persona, punonjës të “Call Center”, aktiviteti i së cilës kryhej në Prishtinë.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “hyrje në sistemet kompjuterike”, “mashtrim” dhe “pastrim parash”. I dyshuari kryesor në këtë rast, është shtetas i huaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ky aksion është ndërmarrë pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes ‘Qendër të Thirrjeve’ në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë. Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime.

Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.