Vazhdojnë qëndresa kundër mbylljes së kopshtit 'Zybejde Hanim', nesër protesta e radhës

Pas mbylljes së kolegjit 'Mehmet Akif', Ministria e Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e kryeministrit dha urdhër në datën 15 shtator 2022 që të mbyllej edhe kopshti “Zubeyde Hanim”, pasi ishte pjesë e shoqërisë 'Turgut Ozal Education'.

Ky vendim u mor sepse kopshti 'Zybejde Hanim' i përket rrjetit të sistemit arsimor të Fetullah Gulen, kleriku turk i konsideruar armik nga Rexhep Taip Erdogan.

Por qëndresa ndaj këtij vendimi të padrejtë vazhdon, dhe dhjetëra fëmijë, prindër e gjyshër do të protestojnë përsëri nesër kundër mbylljes së kopshtit ‘Zybejde Hanim’.

Protesta do të mbahet në orën 12:00 para Gjykatës Administrative në Laprakë.

 Prindërit të indinjuar kërkojnë që të jepet një zgjidhje sa më parë, pasi vendimi për kopshtin ndikon dhe në aspektin psikologjik të fëmijëve të tyre.