Begaj, autoriteteve të Kosovës: Ruani qetësinë, problemet zgjidhini me dialog

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës për ta ruajtur qetësinë në raport me autoritetet serbe, pas largimit të këtyre të fundit nga institucionet e Kosovës.

Në një prononcim për media, Begaj theksoi se sulmi i Rusisë në Ukrainë ka ndikuar edhe në Ballkan me rrezikim të sigurisë.

“Situata në tërësi globale e sigurisë është e cenuar. Siç e dini, sulmi i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që të çorientohet e gjithë situata e sigurisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që unë e vlerësoj që është një situatë e qetë, por shumë e brishtë dhe në çdo kohë mund të këtë tensione”, ka thënë Begaj para gazetarëve.

Ai u apeloi autoriteteve kosovare që problemet me Serbinë t’i zgjidhin problemet përmes dialogut.

“Mesazhi im për autoritetet e qeverisë së Kosovës është që të ruhet qetësia, të vazhdohet dialogu, sepse vetëm nëpërmjet dialogut mund të arrihet zgjidhja e problemeve”, ka thënë Begaj.

“Ne si shqiptarë, si një komb, duhet të ruajmë qetësinë, duhet të mos biem pre e provokimeve dhe të garantojmë që jemi njerëz qytetarë, nuk duam luftën, por duam paqen dhe duhet të kontribuojmë sa më shumë për zgjidhjen e problemeve vetëm nëpërmjet dialogut”, deklaroi tutje presidenti shqiptar.

Kujtojmë se situata në veri u përkeqësua pas vendimit të Listës Serbe dhe liderit të saj Goran Rakiç, për t’u tërhequr nga të gjitha institucionet e Kosovës, pas, siç thanë ata, vendimit për shkarkim të udhëheqësit të policisë në Veri, Nenad Gjuriq, pasi i njëjti nuk përfilli urdhërin e Qeverisë së Kosovës për masën e qortimit për targat.