Sulmuesi i Kamerunit sfidon Salah: Ai ka shansin që luan me Liverpool, por unë jam më i mirë

Pas një starti të ngadaltë, Mohamed Salah duket se është rikthyer në versionin e tij më të mirë dhe dy golat e fundit ndaj Tottenham që i dhuruan fitoren Liverpool, e konfirmojnë këtë. Megjithatë, ka edhe nga ata që janë skeptikë mbi cilësitë e egjiptianit, madje nuk ngurrojnë të shprehin publikisht se janë më të mirë se ai.

Fjala është për sulmuesin e Kamerunit, Vincent Aboubakar i cili thekson se nuk impresionohet nga ajo që Salah bën në fushë, madje lojtari që aktivizohet me Al Nassr në Arabinë Saudite, shton se atij nuk i intereson nëse opinioni public e kritikon për fjalët në drejtim të lojtarit të Liverpool.

“Unë nuk jam nga ata që impresionohen nga Salah, edhe unë mund ta bëj atë çfarë ai bën në fushë. Thjesht, ndryshimi është se unë nuk e kam pasur mundësinë e të luajturit në një klub të madh. Por, e kuptoj sjelljen e njerëzve të cilët e pëlqejnë atë, ai shënon gola dhe është një nga sulmuesit më të mirë në Premier League. Është normale që opinioni të flasë për Salah, por unë them hapur mendimin tim për të dhe nëse më kritikojnë nuk më intereson.