Edi Rama justifikon shpopullimin masiv: Nuk është faji i politikanëve

Kryeministri Edi Rama vazhdoi edhe sot të mbrojë tezën se politikat e një qeverisje nuk kanë lidhje me eksodin masiv.

Edhe pse Shqipëria po zbrazet me ritme të frikshme nën drejtimin e tij, Rama tha se nuk është faji i tij.

“Asnjë politikë dhe asnjë skuadër politike, ju e dini që unë nuk kam respekt për ata që ishin para nesh, nuk është për t’u justifikuar, por asnjë skuadër politike e ardhur edhe nga Hëna nuk do kishte mbyllur derën dhe shqiptarët t’i mbante këtu. Kjo nuk bën sens.

Dhe kjo do të thotë që këtu, në një periudhë kohe të shkurtër të bëhej njësoj si Gjermania, Franca apo Britania. Kjo nuk është e mundur. Sepse po të ishte e mundur, do kishte ndodhur dikur tjetër. Nëse do ta kishin të gjithë fajin politikanët e poshtër, atëherë me siguri në vendet e tjera do kishin dalë politikanë dhe udhëheqës që nuk do ta kishin lejuar këtë trend. Kjo nuk ka ndodhur.

Ne flasim sot për të rinjtë që ikin nga fshati. Më tregoni një vend sot, jo nga këta që janë në nivelin tonë, por në Evropën e bashkuar, më tregoni një vend që të rinjtë nuk ikën nga fshati. Diku më shumë e diku më pak. Mos harrojmë që vendet e tjera nuk dolën nga izolimi total si ne,” tha Rama.

Rama tha se fluksi i largimeve nga Shqipëria do të fillojë të bjerë dhe do të rritet akoma më shumë kthimi në vend. Në një bashkëbisedim me të rinjtë e Kamzës, Rama u shpreh se Shqipëria ofron mundësi, edhe pse ekzistojnë vështirësi.

Ai ftoi sërish qytetarët që paratë të cilat i shpenzojnë për t’u larguar nga vendi, t’i investojnë në Shqipëri në agroturizëm.