Republikanët në rrugën e duhur për të marrë Dhomën e Përfaqësuesve

Nga Sarah Smith, BBC

Sondazhet sugjerojnë se republikanët janë në rrugën e duhur për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Nëse e bëjnë këtë, ata do të përpiqen që të bllokojnë pothuajse çdo projektligj të propozuar nga presidenti Biden.

Ndërkohë, se cila parti do të kontrollojë Senatin, është ende herët për ta thënë.

Gjithashtu në këto zgjedhje do votohet edhe për 36 guvernatorë shtetesh dhe zyrtarë të tjerë vendorë. Këta janë njerëzit që do të mbikëqyrin zgjedhjet e ardhshme presidenciale- duke përfshirë, nëse fitojnë, një numër kandidatësh republikanë që kanë dyshime mbi rezultatin e vitit 2020.

Donald Trump ka lënë të kuptohet se ai mund të kandidojë sërish për president. Ai ka premtuar një njoftim të madh të martën e ardhshme.

Ka pasur një numër të madh votash me postë për zgjedhjet e mes-mandatit, çka do të thotë se mund të kalojnë disa ditë përpara se të mësohen rezultatet përfundimtare.

Koha që u desh për të numëruar votat në vitin 2020 kontribuoi në rritjen e teorive të pabaza të konspiracionit rreth mashtrimit zgjedhor.