‘Nuk na tregoi pse i prishi raportet me SHBA’, Haradinaj flet pas takimit me Kurtin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti për situatën në veri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj u shpreh se u detyrua të linte takimin, pasi sipas tij, Kurti mbante ligjërim dhe nuk dha sqarim për mos pranimin e kërkesës së bërë nga SHBA-të për targat.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim mëngjesin e së martës, liderët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri.

Takimi po zhvillohet në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, ku ftesës së Kurtit, i është përgjigjur pozitivisht Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikum, Veton Surroi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mësohet se në takim po marrin pjesë edhe anëtarë të tjerë të grupit këshillues për dialogun.

Në Mitrovicën e Veriut, të dielën, është mbajtur një protestë e thirrur nga Lista Serbe për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS, Republika e Kosovës.

Kjo protestë u mbajt një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.