Eksodi/ Rama: Gjysma e familjeve që humbën shtëpinë, kanë emigruar

Kryeministri Edi Rama e pranoi nga Shijaku se shpopullimi i vendit ka arritur shifra të frikshme.

Duke folur nga Shijaku, Rama tha se 247 familje që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti, ndodhen në emigracion.

"Një gjë dua të shtoj këtu, se po shikoja këtu këto shifrat. Në 637 apartamente që janë të reja, 247 janë për familje që kanë humbur shtëpinë, ndërkohë që janë në emigracion dhe ne nuk kemi bërë asnjë dallim. Atyre që janë këtu, 390 familjeve që janë këtu u kemi dhënë bonusin e qerasë, ndërkohë që atyre që janë në emigracion u kemi ndërtuar shtëpinë sepse unë jam i bindur që më herët sesa vonë shumëkush prej tyre do të kthehet këtu.

Ky është një trend historik. E kanë kaluar vendet e tjera para nesh, ne na ka qëlluar ta kalojmë të fundit sepse të fundit kemi dalë nga ferri i komunizmit dhe i izolimit, edhe i mbylljes brenda që s’dilte dot njeri për 50 vjet dhe tjetra, më vjen shumë mirë dhe për një gjë, që këto pallate janë të gjitha me sistemin e mbulesës termike, që do të thotë në atë sistemin kapot që i thonë, që vetvetiu kursejmë nga 30% deri në 50%  të energjisë, që do të thotë që në dimër nuk janë aq të ftohta sa shtëpitë, sa apartamentet që kishit dhe në verë nuk janë aq të nxehta sa shtëpitë që kishit. Pra, nevoja për ngrohje dhe për ftohje është shumë më e reduktuar sesa e një nga ato apartamente të një pallati që u prishën," tha Rama.

Pasi vlerësoi punën e kryebashkiakut Elton Arbana për rindërtimin në Shijak , kryeministri pati këtë mesazh për shijakasit që do të shkojnë në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.

“Ne e duam prap kryetar bashkie…dhe ndër kryetarët e bashkive të zonave të tërmetit është më i dalluari sa afër i ka ndejt njerëzve për sa efikas ka qenë në të gjithë …dhe sa urtësisht e mençërisht i ka zgjidhur konfliktet”, tha Rama.