Pasi e inauguroi, Rama shton 16 mln euro për rrugën Kardhiq-Delvinë

Qeveria ka parashikuar të investojë mbi 17 miliardë lekë të vjetra vetëm në lotin 8 të rrugës Kardhiq-Delvinë, duke rritur kostot financiare përfundimtare edhe pse ajo është marrë në dorëzim.

Në projektbuxhetin e vitit 2023, Ministria e Financave në parashikimin e investimeve publike me financim të Brendshëm për vitet 2023- 2025, ka detajuar shpenzimet për 3 nga 8 lotet e këtij aksi. Kështu për lotin e tetë, për vitet e ardhshme janë parashikuar 17 miliardë e 236 milionë lekë për lotin 8, ose rreth 16 milionë euro, e shpërndarë në më shumë se 3 vite vetëm për sistemimin dhe rivitalizimi i skarpateve.

Sipas planifikimit, janë 200 milionë lekë në vitin 2023, 3.17 miliardë lekë në 2024 dhe 3 miliardë në 2025. Ajo që tërheq vëmendje është se më shumë se gjysma e të gjitha shpenzimeve janë parashikuar pas vitit 2025. Janë plot mbi 9.26 miliardë lekë që janë përcaktuar të paguhen pas vitit 2025 për sistemimin dhe rivitalizimi i skarpateve të rrugës Kardhiq-Delvinë. Gjatë vitit 2022, për këtë aks janë planifikuar të shpenzohen plot 1.6 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Sagës së financimit shtesë nuk i shpëtoi as loti 8, pasi edhe për të ka një shtim me rreth 4 milionë euro. Kjo pasi kur në fillim të vitit Agjencia e Prokurimit Publik (APP) hapi tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë loti 8, fondi limit i parashikuar për këtë tender është 1.44 miliardë lekë, ose rreth 12 milionë euro, ndërsa sot është mbi 17 miliardë e 236 milionë lekë.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar në buxhetin afatmesëm, qeveria ka ndryshuar kohën e përfundimit dhe afatin në të cilin synon të paguajë këtë koncesion të ndarë në 8 lote me një projekt të zbatuar nga disa kompani. Kjo, pasi me herët qeveria kishte si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022 dhe buxhetin afatmesëm ky aks do të financohej deri në vitin 2024.

Por, pagesat për lotin 4 përfundojnë në 2025 dhe për lotin 8 nuk ka afat të përcaktuar pas 2025. Të gjitha këto pagesa do të bëhen edhe pse rruga është marrë në dorëzim nga qeveria, e cila e inauguroi me shumë bujë në 2 korrik ku vetë Kryeministri Edi Rama dhe ministrat që e shoqëronin u pritën me këngë dhe valle nga banorët e zonës. Rruga është e kategorisë B me dy korsi më gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, me 40 minuta duke shmangur Qafën e Muzinës.

Ndërkohë SPAK zgjeroi hetimet dhe ka marrë si të pandehur për shkelje të barazisë në tendera për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë tetë persona të tjerë duke përfshirë edhe zyrtarë, pjesë të grupit vendimmarrës.

Pas Sonila Qatos, ish-drejtoreshë e Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe Elona Gogos, ish-kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që është edhe motra e Drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Territorit, Dallëndyshe Bici, SPAK thirri për të dëshmuar edhe tetë persona, ndërsa po heton dy kompanitë fituese, administratorët dhe ortakët e tyre. Referuar dosjes hetimore, Erdit Salillari inxhinier gjeodet do të përgjigjet përpara drejtësisë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

E njëjta akuzë është ngritur edhe ndaj të pandehurve të tjerë, Armir Pahumi, Miranda Shkurtit dhe Nikollaq Mihalit. Simon Prendi me profesion inxhinier hidroteknik dhe Arbër Troka, inxhinier gjeodet, akuzohen për “falsifikim dokumentesh”, shkelje të barazisë në tendera”.

Ndërsa Almir Hoxhaj, Arjana Hasani, akuzohen për “falsifikim dokumentesh”.