La Liga/ Mposhtet Reali, Vallecano i ‘dhuron’ kreun Barcelonës
Reali i Madridit është mposhtur nga Rayo Vallecano në transfertë, në sfidën e javës së 13-të të La Ligës.
Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 5’ me Komesana, por madrilenët reaguan menjëherë duke përmbysur rezultatin në 4 minuta me Modriç dhe Militaon.
Gjithsesi, vetëm tre minuta pas golit të mbrojtësit brazilian, ishte Garsia i cili vendosi sërish baraspeshën.
Në minutën e 67-të, Treho gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, por ai e përsëriti atë pasi Kurtua kishte dalë nga vija.
Më pas spanjolli nuk gaboi, duke kaluar Vallecanon në avantazh.
Për vendasit u aktivizua për 90 minuta dhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, i cili pati disa duele të ashpra me Vinicius, duke mos i dhënë shumë hapësira brazilianit të vepronte.
Kështu, kreun e renditjes në La Liga e mban Barcelona me 34 pikë, dy më shumë se madrilenët e Ançelotit, teksa Vallecano ngjitet në vendin e 8-të me 21 pikë.