VIDEO/ Deklarata e fortë e Limajt: Albin Kurti ra në kurthin e Beogradit!

Kreu i partisë 'NISMA' në Kosovë, Fatmir Limaj akuzon kryeministrin Albin Kurti se ra në kurthin e Beogradit. 

Duke komentuar në Çim Peka Live debatin për targat në veri të Kosovës, Limaj tha se u zgjodh momenti i gabuar kur njëkohësisht po vijojnë bisedimet nga komuniteti ndërkombëtar për dialogun me Serbinë. 

Limaj tha se Kurti ka rënë në kurthin e Beogradit, duke shtuar se Serbisë i intereson destabilizimi i Kosovës. 

"Kryeministri Kurti ka për obligim të sillet si burrështetas, si shtetar, jo më si kreytar i një partie politike që e dimë platformën politike me të cilën ka ardhur në pushtet. Që vitin e kaluar kam parë që Kurti po futej në kurthet e regjimit të Beogradit. Ju kujtohen skenat me policinë e Kosovës. E drejta e Kosovës për të qenë e lirë është që 1 mijë vjet. Krejt ky tension për targat, për atë letrën, në një formë mënyre të tensionohesh për një targë, është e drejta jonë patjetër, është marrëveshja, por jo nëse jemi në mesin e bisedimeve të komunitetit ndërkombëtar. Madje Kurti tha se është bazë e mirë plani franko-gjerman. Kjo nuk shkon për targat. Pse ka nevojë për të patur armiq?", tha Limaj.