‘Pelosi hapi derën, por iku nga policia’/ NBC fshin raportimin bombastik

Organizatat mediatike në SHBA po i bëjnë thirrje rrjetit të njohur televiziv NBC News që të bëjë transparencë në lidhje me një raportim për sulmin mbi bashkëshortin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Rrjeti televiziv e hoqi raportimin mbi sulmin mbi Paul Pelosi, duke ngjallur shumë dyshime.

Steve Krakauer nga organizata ‘Pushteti i Katërt’ tha se NBC duhet të tregojë se çfarë nuk shkonte me raportimin, pasi heqja e lajmit do shtojë më shumë teoritë konspirative.

Krakauer ngre disa pyetje: “Si ishte në gjendje Pelosi që të telefononte në numrin 911? Përse sulmi ndodhi pasi mbërriti policia? Si ishte në gjendje Pelosi të hapte derën për policinë, teksa po mbahej peng? Përse nuk kishte një sistem sigurie në gjendje alarmi pasi u thye xhami? Përse ky sistem alarmi nuk sinjalizoi direkt policinë pasi dera e pasme u hap?”

Gazetari i NBC News, Miguel Almaguer tentoi që t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve në lajmin e fshirë nga rrjeti televiziv.

Ai tha se burimet i kanë thënë se policia nuk e dinte se po shkonte te rezidenca e Pelosit. Sipas burimeve, Pelosi e hapi vetë derën, por nuk tentoi fare të arratisej dhe as nuk deklaroi një emergjencë. Për më tepër, ai u largua nga forcat e rendit dhe shkoi drejt agresorit të dyshuar.

Almaguer e mbylli raportimin duke thënë se “ende nuk e dimë me saktësi se çfarë ndodhi mes zotit Pelosi dhe të dyshuarit për 30 minuta që ata ishin vetëm në shtëpi përpara se të mbërrinte policia. Zyrtarët që po hetojnë këtë çështje nuk duan të hyjnë në detaje të mëtejshme në lidhje me këto detaje të reja”.

Paul Pelosi doli nga spitali të enjten, gati një javë pas sulmit tronditës në shtëpinë e tij. 82-vjeçari iu nënshtrua një operacioni urgjent për thyerje të kafkës.