EKSKLUZIVE/ Greqia shpime për naftë në detin shqiptar, Rama hesht

Greqia ka intensifikuar studimet dhe ka nisur shpimet për hidrokarbure në detin Jon. Në fotot e siguruara nga Syri.net, shihen qartë me të kuqe pikat ku po kryhen shpime në detin shqiptar.

Anija kërkimore sizmike Ramform Hypreion me flamur norvegjez po kryen kërkime në detin Jon në një sipërfaqe prej rreth 18 mijë km2. Kompania norvegjeze prej vitit 2012 ka bërë marrëveshje me Greqinë për kërkimin e hidrokarbureve.

Ajo që bie në sy është se në krahun verior ku po kryhen këto kërkime, i përkasin ujrave territoriale të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Rama ka zgjedhur të heshtë duke kryer kështu tradhti kombëtare.

Nuk është hera e parë që ai akuzohet për këtë çështje. Kreu i qeverisë Edi Rama duket qartë që ka zgjedhur të shesë kufijtë detarë.

Edi Rama është vënë në qendër të akuzave që prej deklaratës së kryediplomatit grek Nikos Dendias, i cili tha se Greqia do të zgjerohej me 12 milje në detin Jon. 

Zgjerimi i Greqisë do të thotë gllabërim i territorit detar shqiptar. Në rastin më të keq, Greqisë po i bëhet një dhuratë jo pak e çmuar nga qeveria e Tiranës. 

Zona ku Greqia ka nisur shpimet konsiderohet me potencial të madh hidrokarburesh të pashfrytëzuara. 

Pikërisht insistimi i Athinës për t'i rrëmbyer detin Shqipërisë lidhet me zonën ekskluzive ekonomike që Greqia ka përcaktuar në ujërat e Jonit, duke hyrë ndjeshëm në territorin detar shqiptar. 

Edhe dërgimi i çështjes në Gjykatën e Hagës konsiderohet si lëvizje e kryeministrit Edi Rama për t'ia faturuar ndarjen e detit një autoriteti ndërkombëtar, në mënyrë që të shmangë nga vetja kostot politike. 

Por ajo që nuk e shpëton politikisht Edi Ramën është falja e detit që po i bën Greqisë për interesa që i di vetëm ai.