Kërpaçi: Rama preu në besë të rinjtë, ja amendamentet e propozuara nga Partia e Lirisë për arsimin

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Floida Kërpaçi me anë të një statusi në rrjetin e saj social 'Facebook' parashtroi amendamentet e propozuara nga Partia e Lirisë për projektbuxhetin e vitit 2023 për Arsimin, ardhur nga konsultimi me prindër të rinj dhe ekspert të arsimit.

Statusi i plotë i Kërpaçit:

Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka që Shqipëria t'i përkasë të rinjve.

Rama i ka prerë në besë të rinjtë, pasi jo vetem që nuk i ka mbajtur premtimet për arsimin, por e ka shkatërruar atë!

Pas një pune të gjatë dhe konsultimi të gjerë me të rinj, prindër, ekspertë të arsimit, këto janë amendamentet e propozuara nga Partia e Lirisë për projektbuxhetin e vitit 2023 për Arsimin:

1 - Mbështetje financiare për studentët, 100 euro në muaj për të përballuar krizën e çmimeve dhe kostove studentore, për t’i barazuar me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.

2 - Mbështetje për kërkimin shkencor, që të shkojë të paktën në 0,3% e PPB siç kanë kërkuar edhe pedagogët.

3 -Rritje e pagave të pedagogeve 50% brenda dy viteve, sipas kërkesave të Sindikatës Kombëtare të Pedagogëve.

4 - Rritja e pagave të mësuesve duke filluar nga 1 janari për të përballuar rritjen e çmimeve dhe inflacionin e pritshëm.

5 – Pajisja me tekste të reja shkollore falas, çdo vit, për nxënësit nga klasa I deri në klasën e IX.

Partia e Lirisë ofron këto zgjidhje konkrete si përgjigje ndaj interesit më të mirë të rinisë shqiptare.

Është koha që të gjithë të ngremë zërin dhe të bëhemi bashkë për të mirën e vendit dhe të brezit të ri.