SYRI TV/ Arrestohet kryefamiljari radikal Gjergj Laçi që i mbylli gruan me fëmijët 6 vjet në shtëpi

50-vjeçari, i  cili mbajti të ngujuar 2 djemtë dhe bashkëshorten e tij për 6 vjet, do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore pasi dyshohet se vuante nga çrregullime të shëndetit mendor. Dy djemtë e mitur dhe bashkëshortja janë dërguar në një qendër rehabilitimi. Dyshohet se veprimet e 50- vjeçarit vinin për shkak të bindjeve radikale.

Nga SYRI TV

“’Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lejuar të dilnin për t’i ruajtur nga e keqja’’ ka qenë ky pretendimi i 50-vjeçarit Gjergj Laçi, i cili u arrestua mëngjesin e së dielës nga blutë e kryeqytetit. I cilësuar nga policia si radikalit, Gjergj Laçi gjatë marrjes në pyetje ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij Elena si dhe dy djemtë, Albanin dhe Sulltanin, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç.

Ndërkohë në një prononcim babai dhe motra e Gjergj Laçit pretendojnë se 52-vjeçari nuk ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve dhe se ai vuan prej vitesh nga sëmundje të shëndetit mendor.

Burime për Syri TV kanë bërë me dije se 50-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa “për të mos u infektuar”. Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht nga 50-vjeçari. Tashmë 2 djemtë dhe  nëna e tyre ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi.

Familja nga Dibra që përjetoi dramën e madhe të shkaktuar nga kryefamiljari Gjergj Laçi mbijetoi në një banesë të kthyer në ngrehinë ku mungojnë kushtet bazike dhe për 6 vjet kanë banuar aty pa pasur mundëso të kërkojnë ndihmë.

Ndërkohë Gjergj Laçi, i njohur edhe me emrin Xherxh Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t'u njohur me masën e sigurisë Ai  do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore pasi dyshohet se vuante nga çrregullime të shëndetit mendor.