Lista Serbe dorëzon mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Mëngjesin e sotëm deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryekuvendarit Glauk Konjufca, ka konfirmuar lajmin për Klan Kosova.

Të shtunën,  në një konferencë për media kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, njoftoi se ata do të tërhiqen nga institucionet qendrore të vendit dhe në komunat veriore.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Po kështu kanë lënë detyrën edhe serbët që punonin si zyrtarë policorë në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, po ashtu edhe në pikat kufitare. Sot ata kanë dorëzuar edhe armët.

Këto veprimet erdhën pasi qeveria e Kosovës mori vendimin për targat.