‘Nuk i do shqiptarët’/ Kërcënon Vuçiç: Amerikanët të bëjnë punën e policisë, ndryshe pritet katastrofë

Pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjithë institucionet e vendit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se shpreson që KFOR dhe EULEX të kryejnë punën e policisë në veriun e Kosovës.

Në të kundërtën paralajmëron ai, situata mund të përshkallëzojë në katastrofë.

“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë”, tha Vuçiç për mediat e vendit të tij.

Presidenti i Serbisë shtoi gjithashtu se shpreson që NATO-ja do të parandalojë ndonjë vendim të mundshëm të Kosovës për dërgimin e njësive speciale në Veri, ndërsa theksoi se Beogradi duhet të veprojë me përgjegjësi përballë atij që e quajti moment jo të lehtë. “Është e rëndësishme të sillemi me seriozitet dhe përgjegjësi. Po flasim për ndryshime të mëdha politike, gati tektonike”, tha ai.