Pa drita, pa ujë dhe as TV, si i mbajti të ngujuar nën terror 52-vjeçari gruan dhe dy djemtë

Detaje të reja zbardhen për ngjarjen e rëndë të zbuluar këtë të diel në kryeqytet, ku kryefamiljari Xherxh (Gjergj) Laçi 52-vjeç, mbante të ngujuar prej 6 vitesh familjen e tij.

Syri Tv mëson se bëhet fjalë për bashkëshorten dhe dy djemtë, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. Këta të fundit pasi kishin përfunduar arsimin 9-vjeçar, u ishte ndërprerë vijimi nga i ati, ndërsa dhunoheshin dhe kërcënoheshin vazhdimisht prej tij.

Familja me origjinë nga Dibra që jetonin prej disa vitesh në Tiranë, jetonte në kushte ekstreme ekonomike dhe asnjëri nga familjarët nuk punonte. Kryefamiljari që tashmë ndodhet prapa hekurave pas operacionit të Komisariatit Nr.4 dhe Antiterrorit, konsumonte alkool, ndërsa privonte gruan dhe dy djemtë si dhe i dhunonte ato. Për tu ushqyer ndihmoheshin nga vëllai dhe babai i bashkëshortes së Laçit, të cilët u dërgonin ushqim e veshmbathje. Ndërkohë, pas zbulimit të rastit, fëmijët e mitur dhe nëna e tyre janë dërguar në një qendër të trajtimit të veçantë të personave që bien pre e dhunës.

Ata kanë rrëfyer të gjitha episodet e dhunës dhe veprimet e kryefamiljarit Xherxh Laçi. Ky i fundit u cilësua nga policia e kryeqytetit si person me bindje radikale, ndërsa mësohet se frekuentonte dhe institucionet e kultit. Prej 9 muajsh ishte distancuar nga ky ritual, ndërsa qëndronte në shtëpi, konsumonte alkool dhe ushtronte dhunë ndaj familjarëve.

Ai mbante një thikë poshtë dyshekut të krevatit, me të cilën edhe shantazhonte fëmijët dhe bashkëshorten, ndërsa është mes sendeve materiale të sekuestruara nga Policia. Momentalisht 52-vjeçari ndodhet brenda ambienteve të paraburgimit për tu marrë në pyetje, ndërsa paralelisht po kryhen veprime nga grupi hetimor për të zbardhur të plotë ngjarjen.

Denoncimi

Sipas dëshmitarëve Laçi dilte vetëm për faljen e xhumasë (të premtes), por prej 6 muajsh nuk dilte më as vetë nga banesa.

Antiterrori ka pasur informacion se kishte prirje radikale, pro më pas pasi djemtë nuk dilnin më, banorët kanë lajmëruar policinë.

52-vjeçari është arrestuar, ndërsa gruaja dhe fëmijët janë dërguar në një qendër për rehabilitim.