Rama rrëfen bisedat me Bashën: E porosita të ndahej nga Berisha dhe Meta!

Për të tretën ditë radhazi, Edi Rama po tregon se ka patur komunikime të vazhdueshme me Lulzim Bashën. 

E tha fillimisht në Mallakastër, dy ditë më parë. 

E përsëriti dje gjatë vizitës në Tropojë. 

E tha edhe sot nga Lushnja.  

Në tre ditë të ndryshme shprehu të njëjtën gjë që, fliste, komunikonte dhe e këshillonte Lulzim Bashën (ndoshta ende ruajnë të njëjtat linja komunikimi por për fatin e tij të keq nuk influencon dot më vendimmarrjen e PD siç bënte deri vitin e kaluar). 

Në këto dalje mediatike, me një zell jo të vogël, Rama tha se e kishte këshilluar Lulzim Bashën, ish-kryetarin e PD, që të distancohej nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. 

Ajo që nuk thotë kryeministri, por që është e kuptueshme, ka të bëjë me vendimin e 9 shtatorit 2021, përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat me vendim personal të Lulzim Bashës (dhe porosia, siç edhe kuptohet, ka qenë nga Edi Rama, në bashkëpunim me ndonjë përfaqësues diplomatik). 

"Koha do ta tregojë, por zakonisht këto të miat dalin. Se kur thoja unë “O Lulzim ndahu nga këta të dy”, më thonin këta analistët “o çpunë ke ti me ata, njëri në pension, njëri në punën e vet”. Ja si është puna. Ku është Lulzimi, dini gjë? S’dini gjë. Këta të dy këtu prapë”, tha Rama sot në Lushnje.

Rama foli edhe për lobimin e Lulzim Bashës me paratë rusë, por harron që dosjen hetimore e mbylli ai në prokurori.  

“Partia Demokratike është vegël e deklaruar, ndërkohë që ajo parti ka 500 mijë dollarë, gjysmë milioni të paguar për të rrëzuar qeverinë e Partisë Socialiste. Kur doli atëherë thoshin e bën Edvini me Sorosin. Kur ambasadorja amerikane ja vuri në tavolinë non gratës financimet ruse, ai i refuzoi. Mirëpo tani na doli në raportin e CIA-a. Si i bëhet tani? Për ça arsye rusët duhet të financojnë një parti politike. Për ta bërë Shqipërinë me demokratike, për të forcuar të drejtat e njeriut këtu? Për këtë që po shikoni", tha Rama.   

Mesa duket, shqetësimi më i madh i kryeministrit lidhet me dështimin e planit për të realizuar deri në fund marrëveshjen e 17 majit 2017.

Marrëveshje e cila sipas të gjitha ndodhive që erdhën më pas, ka patur për qëllim asgjësimin e Partisë Demokratike e shkuarjen e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës drejt bashkëqeverisjes.