Haaland tregon si e përjetoi penalltinë ndaj Fulhamit: Ishte një nga momentet më nervoze të jetës sime

Erling Haaland kaloi një nga momentet më nervoze të jetës së tij kur ekzekutoi një penallti fituese ndaj Fulhamit pasditen e sotme.

Haaland siguroi një fitore 2-1 për Manchester City sot, kur gjuajti nga pika e bardhë në minutën e pestë shtesë, teksa rezultati ishte 1-1.

“Isha nervoz për penalltinë. Ishte një nga momentet më nervoze të jetës sime, por fantastike. Një penallti në minutën e fundit, sigurisht që do të isha nervoz. Por ndjenjë e mahnitshme, më pëlqen. Isha i lënduar për një javë dhe është shumë e rëndësishme të fitosh”, tha norvegjezi për ‘Sky Sports’.

Penalltia e Haalandit i dha Cityt një tre pikë të rëndësishme për ta marrë kreun e tabelës përpara transfertës së Arsenalit në ‘Stamford Bridge’ për t’u përballur me Chelsean të dielën.