Edhe Atalanta s’e ndal dot, Napoli vazhdon ‘marshimin’ në Serie A

Napoli vazhdon “marshimin” e tij të pandalshëm në Serinë A, në një sezon që duket gjithnjë e më shumë si ai i duhuri për të kthyer titullin e shumëpritur kampion.

Skuadra e Spaletit ka dhënë provën e forcës të radhës me një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Atalantës në fushën e kësaj të fundit.

Vendasit ishin ata që u shfaqën më kërkues në pjesën e parë dhe gjetën golin me penalltinë e Lukman.

Por fillimisht Osimhen dhe më pas Elmas, përmbysën shifrat para pushimit të ndeshjes duke ia bërë më të thjeshtë napolitanëve që të administronin duelin në fraksionin e dytë të lojës.

Kështu, Napoli ngjitet në kuotën e 35 pikëve pas 13 ndeshjeve ku kanë regjistruar 11 fitore e 2 barazime, duke krijuar një distancë të ndjeshme me ndjekësit e tyre, ku për momentin është pikërisht Atalanta me 8 pikë më pak ajo që mban vendin e dytë.