Tenis/ Novak Djokovic kualifikohet në finalen e Masterit të Parisit

Novak Djokovic mposht Stefanos Tsitsipas në tre sete me shifrat 2-1 dhe mbërrin në finalen e Mastersit të Parisit.

Tenisti serb vuajti jo pak në përballjen me grekun, numrin pesë të botës, teksa pavarësisht se fitoi në setin e parë, 6-2, Tsitsipas gjeti reagimin e duhur dhe në të dytin vendosi baraspeshën totale duke e fituar atë me shifrat 3-6.

Në setin e tretë dhe atë final, ndeshja ishte mjaft e balancuar me të dy tenistët që ia dolën të ruanin shërbimet e tyre duke mbërritur në tie-break.

Aty, Djokovic tregoi më tepër siguri dhe në fund e mbylli me shifrat 7-4 duke u kualifikuar në këtë formë në finale, aty ku gjen danezin, Holger Rune.

19-vjeçari, një nga më të talentuarit të brezit të ri në botën e tenisit, mposhti në dy sete kanadezin, Auger-Alliassime në dy sete me shifrat 6-4 dhe 6-2.

Në një përballje të mëparshme mes tyre (Djokovic-Rune), të vlefshme për US Open, Djokovic triumfoi 3-1 me sete, megjithatë tashmë, danezi do të kërkojë “hakmarrjen”.