Dëmtimi i Messit disa ditë para Botërorit alarmon Argjentinën

17 ditë nga debutimi në Kupën e Botës me Argjentinën, Lionel Messi tremb kombëtaren dhe PSG-në, teksa vuan një dëmtim në tendinën e “Akilit”.

Klubi francez bëri të ditur se 35-vjeçari nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Lorient në transfertë.

Megjithatë, sipas njoftimit të kryeqytetasve bëhet fjalë për një ndalesë për të mos rrezikuar një problem më të madh për Messin teksa pritet që “pleshti” të rikthehet në stërvitje javën e ardhshme dhe të marrë minuta në sfidën e radhës ndaj Auxerre.

Por, asgjë nuk është e garantuar dhe nga stafi mjekësor i Argjentinës si dhe tekniku i Albicelsteve, Lionel Scaloni janë gjithë sy e veshë në Paris për të mësuar gjendjen fizike të numrit 10.

Ndeshja e parë për Argjentinën në Katar është ajo ndaj Arabisë Saudite më datë 22 nëntor, ndërsa në radhë janë edhe sfidat me Meksikën e Poloninë në kuadër të Grupit C.