VIDEO-SYRI TV/ Sarandë, zbulohet segmenti rrugor që daton në antitiket

Një segment rruge, që mendohet se i përket periudhës antike e mesjetare është zbuluar nga arkeologu Halil Shabani. Ky segment rruge me kalldrëm, ndodhet në veri të fshatit Shkallë të bashkisë Konispol,  në vendin ku mbaron Gryka e Bogazit.

Sipas arkeologut, rruga ka një gjatësi deri  në 100 m  dhe gjerësi nga 1.40 m deri në 1.60 m në disa vende. Segmenti është i përbërë nga blloqe mesatarë e të mëdhenj gurësh. Mbështetur tek faqja e sipërme e konsumuar e blloqeve, gjerësia e kalldrëmit dhe pozicioni gjeografik buzë lumit Pavël, mendohet se hershmëria e segmentit lidhet me periudhën e antikitetit.

Rruga ka shërbyer për të lidhur qytetet antike Foinike, Çukën e Ajtojt dhe Nikopolin më në jug. Autori i lashtë grek Polibi dhe autorë të tjerë romakë e përforcojnë ekzistencën e kësaj  rruge,  jo vetëm për kalimin e ushtrive vendase epirote, pushtuese, si edhe për karvanët tregtarë të asaj kohe.