Zyrtarë të Policisë së Kosovës në veri zhveshin uniformat

Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës kanë lënë detyrën. Ky vendim është marrë mesditën e sotme nga Lista Serbe gjatë një mbledhje në Zveçan.

Ndërkohë zyrtarë të Policisë së Kosovës në Veri kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet, ndërsa ky veprim është duartrokitur nga të pranishmit.

Në këtë takim, u tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.

Kjo situatë është krijuar pas marrjes së vendimit të qeverisë së Kosovë për targat.

Vendimi i qeverisë së Kosovës:

Nga data 1 nëntor, të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë do t’u shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.