VIDEO/ Et’hemi dhe Topalli tundin rrjetën në Turqi, por golat shqiptarë nuk i mjaftojnë Istanbulsporit

Dy golat e shqiptarëve, Valon Et’hemi dhe Jetmir Topalli nuk i mjaftojnë skuadrës së Istanbulspor për të marrë qoftë edhe një pikë në raundin e 13-të të Superligës turke. Istanbulspor u “thye” në transfertë me rezultatin 3-2 përballë Giresunspor. Në fakt, ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Istanbulspor që kaloi në avantazh në minutën e 18-të falë realizimit të Et’hemit. Një gol i gjithi shqiptar teksa ish-lojtari i Kukësit u asistua nga Topalli dhe i vetëm përballë portierit kundërshtar nuk fali.

Ishte goli numër katër për 25-vjeçarin në këtë edicion të Superligës turke duke u konfirmuar si një nga hallkat më të rëndësishme në 11-tëshen e Istanbulspor. Megjithatë, pas golit të Et’hemit, vendasit morën frenat e lojës në dorë, me Istanbulspor që mbeti me 10 lojtarë, ndërsa Giresunspor barazoi në limitet e pjesës së parë dhe më pas në fraksionin e dytë shënoi edhe dy gola të tjerë për të siguruar tre pikët.

Edhe pse në fund, në minutën e 88-të pati vend edhe për golin e Topallit që realizoi pas një mosmarrëveshje mes lojtarëve të Giresunspor. Një gol që shërben për statistikat personale të Topallit që gjithashtu është një titullar fiks te Istanbulspor, pasi kohë në dispozicion nuk kishte dhe sfida u mbyll me rezultatin 3-2. Në fushë për Istanbulsporin ishte edhe Eduart Rroca që luajti për 90-minuta të plota ndërsa nga stoli u aktivizua edhe Sindrit Guri.

Pas kësaj disfate, e pesta radhazi, skuadra e shqiptarëve në Turqi renditet në vendin e 18-të me tetë pikë, ndërsa Giresunspor mban vendin e 15-të me 12 pikë.