Policia e Shtetit pjesë e operacionit të kryer për Europën Juglindore

“Ditët e Përbashkëta të Veprimit për Europën Juglindore”- JAD SEE 

Policia e Shtetit ishte pjesë e operacioni të kryer për Europën Juglindore, duke kontribuar nëpërmjet Departamentit të Policisë Kriminale, Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Zyrës Kombëtare Europol dhe Oficerit Ndërlidhës të Policisë së Shtetit, të atashuar në Europol.

28 vende evropiane bashkuan forcat në luftën ndaj trafikut të drogës dhe armëve të zjarrit, kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjatë ditëve të veprimit, në Shqipëri janë arrestuar 46 shtetas, për veprimtari kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, fushën e narkotikëve, kontrabandës, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikimit të dokumenteve.

 Gjithashtu, janë regjistruar 56 hetime të reja për vepra penale në fushat e lartpërmendura.

Gjatë ditëve të operacionit, në Shqipëri janë sekuestruar lëndë narkotike të llojit kanabis, kokainë, heroinë, 12 armë zjarri, lëndë eksplozive, kapsolla detonare, shumë parash dhe municione luftarake. 

Janë kapur 301 emigrantë në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe 1 shtetas që ka tentuar të kalojë një armë zjarri, në kufi; janë goditur 3 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme dhe 1 rast i korrupionit aktiv; janë sekuestruar 7 dokumente të falsifikuara dhe 2 mjete të vjedhura, që janë kapur në Pikat e Kalimit Kufitar.

Gjatë ditëve të operacionit, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë përfshirë në terren 300 punonjës policie, çdo ditë.

Edhe në këtë operacion me pjesëmarrje të gjerë të homologëve dhe të koordinuar nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm, përkushtim dhe vendosmëri për të luftuar krimin, krah për krah me partnerët.