Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës

Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës. Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës, njofton radio Evropa e Lirë.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Në këtë takim - me dyer të mbyllura - kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.

Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.

Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion.

Njëjtë kanë vepruar edhe kryetarët e komunave, të gjyqësorit dhe policisë.

Rakiq ka thënë se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Zhvillimet në Serbi

Ndërkohë Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një mbledhje të shtunën për të diskutuar, siç është thënë, rreth situatës në Kosovë.

Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një postim në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë për të informuar Qeverinë për “situatën në të cilën është Serbia”.

Edhe pas takimit me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, Vuçiq ka përsëritur se “Serbia vazhdon të zbatojë politikën e paqes dhe stabilitetit” dhe se “vazhdon të jetë e përkushtuar në respektim të ligjit ndërkombëtar”.

Serbia llogarit në Kinën kur është fjala për statusin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.

As Serbia, as Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, zyrtarët serbë tentojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me ambasadorin rus në Beograd, Bocan Harchenko dhe me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

Në ditë më parë, Vuçiq është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vetë Lajçak ka thënë më 5 nëntor se takimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.

Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.

“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.