Berisha: Nuk tërhiqemi nga primaret, ftoj të rinjtë që të garojnë masivisht

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se nuk do të tërhiqen nga primaret. Ai u ka bërë një thirrje të rinjve që të garojnë sa më shumë në këto primare.

“Sot ne jemi në prag të një zhvillimi tjetër madhor, të primareve në Shqipëri. Unë e kuptoj se ato ngjasojnë me një oaz, në një vend ku vota është kthyer në fiktivitet. Por rrugë tjetër për zhvillimin e këtij vendi, përveç sistemit të votës së lirë, nuk ka.

Ndaj ju ftoj sot, në mënyrë të veçantë zonjat, zonjushat, të rinjtë dhe përfaqësuesit nga emigracioni të bashkohen në këtë garë. Unë e di që ka pasur zemërthyer dhe kritika me primaret, por nuk jam tërhequr dhe nuk tërhiqem. Sepse ato kufizojnë pushtetin tim dhe ju japin ju pushtet”.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se të rinjtë po afrohen dhe do marrin rol gjithnjë dhe më të madh. Duhet të theksoj me këtë rast, PD është parti e rithemeluar dhe rithemelimi i saj është vendimtar për ekzistencën dhe misionin e saj.  Ajo do hapë dyert dhe janë këto primare, në të cilat kanë vendosur të garojnë, dhe ju ftoj sa më shumë të rinj të garojnë për qytetarë të parë të bashkive të vendit.

Ndërkohë një seri departamentesh po krijohen, në të cilat një seri intelektualësh të rinj të fuqishëm kanë marrë drejtimin apo janë anëtarësuar në këto departamente. Ju siguroj se, ju garantoj se do keni një përtëritje të elitës politike të PD në interesin më të mirë të saj dhe shoqërisë shqiptare,” tha Berisha.

"Unë uroj dhe shpresoj se primaret do të jenë një proces bashkimi i njerëzve të lirë. Në eksperimentin e parë që ne bëmë, me primaret, me zgjedhjet e kryetarëve të degëve, mund t’u them se suksesi i procesit ishte i plotë. Me ndonjë përjashtim tepër të rrallë.

Primaret nuk sollën përçarje dhe unë vlerësoj shumë të gjithë ata që morën pjesë dhe mbajtën qëndrim fisnik ndaj rezultateve. Shpresoj që kjo do ndodhë akoma më shumë dhe akoma më bukur në këtë garë, e para e kësaj natyre në Shqipëri. Në vitin 2000 ne zhvilluam primare, ato që i quajtëm konventa, por e vërteta është se kandidaturat përcaktoheshin nga kryesia dhe kryetari, çka nuk do ndodhë. 

Unë mendoj se ne po bëjmë hapin e duhur. Duhet të bëjmë gjithçka që simpatizantët tanë të votojnë. Duhet të bëjmë gjithçka që asnjë anëtar dhe simpatizant i saj të mos mbetet pa votuar. Natyrisht do ketë pa diskutim, nuk e përjashtoj që të ketë qytetarë dhe individë që nuk vijnë me të njëjtin qëllim në ato votime, por ato nuk mund të prishin tërësinë e tyre".